Si ta vizitoj Venedikun për 2 ditë?

Më ndiqni në IG: @guida.udhetimi

Venice is like eating an entire box of chocolate liqueurs in one go.” – Truman Capote

Venediku identifikohet me mister, me romancë dhe me sharmin e botës së vjetër. Kur mendoj për Venedikun, kujtoj gondolat duke valëvitur mbi kanalet e këtij qyteti, Kanalin e Madh, pëllumbat në sheshin e San Marcos dhe zërat e sopranove duke kënduar gjithandej në rrugicat e qytetit.


Megjithëse i gjithë qyteti, apo të paktën pjesa qendrore ku ndodhen kanalet, është e plotë me turist, dhe ka shumë pak banorë që realisht jetojnë … thjeshtë ideja se si kish me qenë jeta, në ato shtëpi, të kesh një gondola në vend të veturës, të ecësh cdo ditë përgjatë rrugicave të ngushta të qytetit e të han cdo ditë ushqim italian të ngjall adrenalinë.

Këtu kam përfshirë itinerar për vizitë në disa atraksione të qytetit, pak vizita në muze e shumë shëtitje për ta njohur shpirtin e Venedikut.

Mënyra më ekonomike për të shkuar në Venedik nga Prishtina është fluturimi nga Shkupi.


Dita e parë:

  1. Sheshi San Marco (Piazza San Marco)
  2. Ura e Psherëtimave (The Bridge of Sighs)
  3. Bazilika e San Marcos (Basilica di San Marco)
  4. Pallati i Doge (Doge’s Palace)
  5. Ecja përgjatë Urës së Rialtos (Rialto Bridge)
  6. Shëtitje me Gondolë
  7. Sorollatje nëpër Venedik (Get Lost in Venice)

Dita e dytë:

  1. Agimi në. Sheshin San Marco
  2. Vizitë ishujve: San Giorgio Maggiore
  3. Vizitë ishujve: Murano
  4. Vizitë ishujve: Burano
  5. Shopping & shëtitje

Dita e parë

1. Sheshi San Marco (Piazza San Marco)

Filloje udhëtimin 2 ditor tek Piazza San Marco. Ecni përgjatë sheshit në për në Campanile, tek këmbana e Bazilikës. Kulla shihet nga larg, e ndërtuar me tulla të kuqe, është 325 metra e gjatë, dhe është një nga pikat më të njohura të qytetit. Aty mund të ngjiteni lart dhe ta vrojtoni qytetin.

2. Ura e Psherëtimave (The Bridge of Sighs)

Nga aty vazhdo ec në këmbë buzë detit deri tek Ura e Psherëtimave, është në të majtë. Kjo urë e lidh Pallatin e Doge’s me ndërtesën e burgjeve. Lokacion shumë i bukur si për sy ashtu edhe për fotografi. Nëse jeni kurioz për këtë urë atëherë ja u rekomandoj ta lexojeni novelën Ura e Psherëtimave nga Michel Zevaco (Il ponte dei sospiri) për të kuptuar aventurat dhe shkrimet për këtë urë si dhe kuptimin që e pat kjo për njerëzit (pak info, të burgosurit e kanë parë dritën dhe jetën për herë të fundit përmes kësaj ure, para se të vendoseshin përjetësisht në burgjet në anën tjetër të urës).

3. Bazilika e San Marcos (Basilica di San Marco)

Tani është koha për të eksploruar Bazilikën e mrekullueshme të San Marco, me kupolat e saj të bukura që janë përzierje e arkitekturës Italiane dhe Bizantine. Fatkeqësisht, shumë prej mozaikëve aty si brenda dhe jashtë nuk janë origjinal: ato u zëvendësuan në kohët e pas Rilindjes, pasiqë origjinalet u dëmtuan ose u shkatërruan. Gjithashtu kërkoni dhe gjeni luanin e artë me krahë, simbolin e Venecias.

Orari i hapjes: Nëntor deri Qershor, nga e hënja deri të shtunën 9.30 – 17:00, të dielën dhe ditëve të pushimit 14:00 – 16:30; nga Qershori deri në Nëntor, nga e hënja deri të shtunën 9.30 – 17:00, të dielën dhe ditëve të pushimit 14:00 – 17:00.

Hyrja në Kishën e St Marcos është falas, mirëpo në ditë të caktuara të vitit mund të ketë pjesë të vecanta që duhet paguar hymjen, si dhe hyrja për tek Bazilika për tu ngjitur lart tek kulla kushton 8 €.

4. Pallati i Doge (Doge’s Palace)

Pallatin mund ta vizitoni vet, pa nevojën e ndonjë ciceroni pasiqë të dhënat janë të vendosura në cdo dhomë. Pallati është i mahnitshëm, si ndryshe mundet me qenë një pallat i mbretërisë së Venedikut! Pallati është dëmtuar dhe shkatërruar disa herë nga zjarret, së fundmi në fund të viteve 1500. Nga këtu mund të ecni mbi urën e Psherëtimave për tek pjesa e burgjeve.

Orari i hapjes: Nëntor deri Mars, nga 8.30 – 17:30; nga Prilli deri në Tetor 8.30 – 19:00. Hyrja kushton: 25.40 € për të rritur.

Sigurisht tani është koha për të ngrënë drekën, e une nuk e kam nda asnjë rekomandim – cdo restaruant në Itali ka ushqim autentik Italian, e për ushqim italian nuk ka nevojë për koment.

5. Ecja përgjatë Urës së Rialtos (Rialto Bridge)

Venediku është qytet mbi ujë e plotë me ura. Secila e ka bukurinë dhe historinë e saj, mirëpo Ura e Rialtos është ndër atraksionet më të famshme. Ura e Rialtos, e ndërtuar prej guri, është më e vjetra nga katër urat që përshkojnë Kanalin e Madh. Nga kjo urë ka shumë pamje të bukura të kanalit.

6. Shëtitje me Gondolë

Shëtitja me gondollë është një prej specialiteteve në këtë qytet. Ka zgjedhje të ndryshme, si sa persona i nxen gondola, përgjatë cilës pjesë të kanaleve e dëshironi lundrimin, në cfarë orari a dëshironi që ngasësi I gondolës të jetë edhe cicëron, apo të këndoj opera.

Mirëpo, nëse jeni atje me të dashurin, dashurën partnerin partneren atëherë perëndimi është koha e duhur për shëtitje me Gondola.

Mit: Sipas italianëve, me njeriun që putheni gjatë shëtitjes me gondolë nën urën e Rialtos në perëndim, do të dashuroheni dhe kaloni jetën së bashku. Gjithsesi unë ju rekomandoj shëtitje me gondolë para orës 17:00 padsiqë cmimet janë pothuajse dyfish më të lira se sa pas kësaj ore, si dhe shëtitje nëpër kanalet e brendshme sepse është më private sesa ajo që përfshinë Kanalin e Madh, pasiqë pothuajse të gjithë turistët e zgjedhin atë. Shif këtu për rezervime.

7. Sorollatje nëpër Venedik (Get Lost in Venice)

Edhepse qytet i vogël, Venediku ka shumë për të parë. Një gjë që mua më pëlqeu shumë në këtë qytet, është se „mund ta shetitës në këmbë“. Ka shumë rrugica, shumë sheshe të vogëla në kryqëzime të rrugicave, ka shumë për të parë veq duke u sorollatur nëpër qytet. Kështu unë ju rekomandoj, të ecni thjesht ta shijoni qytetin. Pastaj mund të hani darkë dhe të pini një verë, apo një sprizzer buzë cilitdo kanal.


Faleminderit për kohën dhe shpresoj që ju ka pëlqyer.

Shumë shpejt vjen edhe përshkrimi për ditën e dytë në Venedik.

Si ta vizitoj Budapestin për 2 ditë?

Më ndiqni në IG: @guida.udhetimi

“Budapest is famous for its thermal baths. What most people don’t know about is their famous bath parties.” – Lust for the World

Budapesti është një nga kryeqytetet më të mira evropiane që mund të vizitohet për dy apo tre ditë. Meqenëse kohëve të fundit ka fluturime të leverdishme për një fundjavë nga Prishtina për Budapest, vendosa që të shkruaj për këtë qytet. Për këtë postim kam përgatitu një itinerar 2 ditorë për ata që duan ta vizitojnë Budapestin gjatë fundjavës. Jam munduar të përfshijë pak nga secili atraksion i qytetit, prej muzeve, shëtitjeve në qytet e banja, e deri te parqet, për të ndjerë ngrohtësinë e këtij qyteti romantik.

Pasi që të mbërrini në qytet dhe të vendoseni në hotel, ju propozoj të bëni një shëtitje në qendrën e qytetit, veçanërisht në Avenynë Andrassy (Andrassy Avenue / Andrássy út) dhe rrugën Vaci (Vaci Street / Váci utca), dy bulevardet më të famshme të Budapestit. Këto rrugë janë të mbushura me bare, restorante dhe dyqane. Nëse nuk jeni te lodhur nga fluturimi, dhe është mbrëmje, ju rekomandoj të shkoni edhe tek kisha më e madhe e Budapestit, Bazilika e Shën Stefanit (St. Stephen’s Basilica / Szent István Bazilika), e cila ka ndriçim të mahnitshëm.


Dita e parë: 7 km në total

  1. Kështjella e Budës (Buda Castle / Budavári Palota)
  2. Kisha e Matiasit (Matthias Church / Mátyás Templom)
  3. Fortesa e peshkatarëve (Fishermen’s Bastion / Halászbástya)
  4. Ura zinxhir e Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge / Széchenyi Lánchíd)
  5. Parlamenti Hungarez (Hungarian Parliament / Országház)
  6. Sheshi Vorosmarty (Vorosmarty Square / Vörösmarty tér)
  7. Rruga Vaci (Vaci Street / Váci utca)

Dita e dytë: 5 km në total

  1. Banja termale e Széchenyi-t (Szechenyi Thermal Bath / Széchenyi Gyógyfürdő és Uszoda)
  2. Kështjella e Vajdahunyad (Vajdahunyad Castle / Vajdahunyad vára)
  3. Sheshi i heronjve (Heroes’ Square / Hősök tere)
  4. Avenyja Andrassy (Andrassy Street / Andrássy út)
  5. Oborri i Gozsdu (Gozsdu Court / Gozsdu udvar)
  6. Sinagoga e rrugës Dohany (Dohany Street Synagogue / Dohány utcai Zsinagóga)
  7. Tregu i mbuluar i qendrës (Central Market Hall / Nagy Vásárcsarnok)

Dita e parë

1. Kështjella e Budës (Buda Castle / Budavári Palota)

Filloni ditën duke përdorur trenin me litar (funicular train) në Sheshin Clark Adam për të arritur në zonën e kështjellës. Mund të ngjiteni lart edhe përmes shkallëve apo autobusit me numër 16 (zbrisni në ndalesën/stacionin ‘Dísz tér’).

Pasi te shijoni pamjen e bukur të Pestit që shtrihet para kështjellës, shfrytëzoni rastin të shikoni veprat e piktorëve më të mëdhenj hungarezë të vendosura në Galerinë Kombëtare Hungareze.

2. Kisha e Matiasit (Matthias Church / Mátyás Templom)

Ecni nëpër qytetin e vjetër për 10 minuta për të arritur pikën e dytë të vizitës, Kishën e Matiasit. Në këtë ambient unik, disa herë në muaj Kisha e Matiasit organizon koncerte muzikore klasike me Orkestrën me Harqe Budapest Danub (Budapest Duna String Orchestra).
Orari i hapjes:
E hënë – e premte: 9:00 – 17:00;
E shtunë: 9:00 – 13:00;
E diel: 13:00 – 17:00.
Hyrja për të rritur është rreth 5.5 € (1800 Ft).

3. Fortesa e peshkatarëve (Fishermen’s Bastion / Halászbástya)

Fortesa e peshkatarëve ndodhet 50 metra përballë Kishës së Matiasit. Ajo është e hapur në çdo kohë. Hyrja në pjesën e poshtme është pa pagesë, ndërsa hyrja në pjesën e sipërme kushton rreth 3 € (1000 Ft) prej orës 8:00 deri në ora 21:00, ndërsa është pa pagesë gjatë pjesës tjetër të ditës (në mbrëmje).

4. Ura zinxhir e Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge / Széchenyi Lánchíd)

Zbrisni kodrën dhe kaloni mbi urën më të bukur të Budapestit, Urën zinxhir të Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge), urën e parë të përhershme të Budapestit. Pasi ta kaloni urën arrini tek Sheshi Szechenyi Istvan; më pas vazhdoni shëtitjen për te ndërtesa e Parlamentit Hungarez, e cila gjendet vetëm 10 minuta larg.

5. Parlamenti Hungarez (Hungarian Parliament / Országház)

Gjatë vizitës në Parlament mos harroni që në të majtë të Parlamentit (përballë Danubit), mund të zbrisni afër buzës së lumit për ta parë memorialin “Këpucët në Brigjet e Danubit” (Shoes on the Danube Bank), kushtuar viktimave hebre të Luftës së Dytë Botërore në Budapest. Për rreth dyzet metra përgjatë lumit ka këpuce metalike që përfaqësojnë mijëra hebrenj qe u qëlluan para se të hiqnin këpucët.

Orari i hapjes së parlamentit është nga 8:00 – 18:00. Preferohet që caktimi i terminit të bëhet paraprakisht online. Pagesa e hyrjes, për qytetarë jashtë BE-së, është rreth 20 € (6400 Ft).
Nëse dëshironi te hani drekë, ju rekomandoj Elysée Bistro ose Café Smúz në Sheshin Kossuth.

6. Sheshi Vorosmarty (Vorosmarty Square / Vörösmarty tér)

Pini një kafe dhe provoni një ëmbëlsirë hungareze në një nga kafenetë më të famshme të Evropës, Gerbeaud në Sheshin Vorosmarty.

7. Rruga Vaci (Vaci Street / Váci utca)

Kthehuni mbrapa përgjatë rrugës Vaci, ku mund të bëni shopping. Një ide e mirë është të provoni një aperitiv apo te hani darkë në restorantin Kiosk pranë sheshit, në Március 15. Kështu do ta përfundoni me sukses një ditë në Budapest.

Një tjetër mundësi për ta përfunduar ditën e parë të shëtitjes në Budapest është të bëni një lundrim në Danub, që zgjatë 45 minuta deri në 1 orë. Ka oferta të ndryshme në lokacione të ndryshme të qytetit për lundrime të tilla.


Dita e dytë

1. Banja termale e Széchenyi-t (Szechenyi Thermal Bath / Széchenyi Gyógyfürdő és Uszoda)

Fillojeni ditën e dytë me vizitë ne banjën termale te Széchenyi-t, vend ikonë që duhet të shihet patjetër ne Budapest. Kjo banjë përfshirë pishinat e jashtme termale, është e hapur gjatë gjithë vitit, përshirë edhe ditët me shi e me borë. Planifikoni të kaloni disa orë relaksimi në këtë banjë. Në pishinën termale të jashtme keni edhe treguesin e temperaturës; gjatë dimrit temperatura e ujit mund të jetë 38 °C.

Hyrja me një kabinë kushton rreth 20 € (6200 Ft). Nëse keni mundësi merrini peshqirin dhe sandalet tuaja, përndryshe ato mund t’i huazoni aty për rreth 14 € (4500 Ft).

2. Kështjella e Vajdahunyad (Vajdahunyad Castle / Vajdahunyad vára)

Pasi të keni provuar banjat, ecni në park për 5 minuta për të arritur tek Kështjella e Vajdahunyad. Meqenëse është paksa itinerari i ngjeshur, nuk ju rekomandoj ta vizitoni nga brenda, mirëpo nëse keni dëshirë mund ta vizitoni brenda dhe ta zëvendësoni ndonjërën nga atraksionet e mëposhtme.

3. Sheshi i heronjve (Heroes’ Square / Hősök tere)

Nga kështjella vazhdoni ecjen në këmbë për 6 minuta dhe mbërrini tek njëri ndër sheshet kryesore, dhe sheshi më i madh i Budapestit “Hősök tere”. Shëtitini dhe shijojeni këtë shesh atraktiv. Pasditen vazhdojeni me vizitë në qendrën e Pest-it.

4. Avenyja Andrassy (Andrassy Street / Andrássy út)

Nga ky shesh vazhdoni shëtitjen tek Avenyja Andrassy, rreth 16 minuta ecje në këmbë. Tani është koha për pushim, ushqim e relaksim. Në këtë lagje ka zgjedhje të shumta të restoranteve dhe kafeneve. Pas drekës ju rekomandoj kafen ta pini në Cafe Parisi, apo në barin 360 Bar, me tarracë në kulm dhe pamje shumë të bukura, sidomos në ditët me mot të mirë.

5. Oborri i Gozsdu (Gozsdu Court / Gozsdu udvar)

Nga aty ecni rreth 9 minuta dhe mbërrini tek një nga vendet më të famshme për dalje natën në Budapest, Gozsdu udvar, me shumë restorante dhe kafene. Nëse nuk keni pi kafe ende, atëherë ky është vendi i duhur. Gjithsesi nëse do të qëndroni edhe këtë natë në Budapest atëherë mund dhe duhet të ktheheni për një pije në mbrëmje apo natën.

6. Sinagoga e rrugës Dohany (Dohany Street Synagogue / Dohány utcai Zsinagóga)

Vetëm 8 minuta larg, prapë në këmbë, gjendet sinagoga më e madhe në Evropë. Aty ofrohen vizita me ciceron gjatë gjithë ditës.

Orari i hapjes (ditëve të punës):
mars – tetor: 10:00 – 18:00 (të premten mbyllet në ora 16:00);
nëntor – shkurt: 10:00 – 16:00 (të premten mbyllet në ora 14:00).

Meqë tashmë je në Lagjen e Hebrenjve, nëse ke kohë dhe energji ende shëtitu paksa, vizito dyqanet e kafenetë, apo vetëm ec dhe shijo e njihu paksa me kulturën hebraike.

7. Tregu i mbuluar i qendrës (Central Market Hall / Nagy Vásárcsarnok)

Deri tash shpresoj që kjo guidë e Budapestit t’ju ketë ndihmuar t’i shijoni bukurinë e këtij qyteti. Shpresoj që gjithashtu ta keni kuptuar paksa historinë dhe kulturën e hungarezëve.

Çka ka mbetur është vizita në tregun e mbuluar “Nagy Vásárcsarnok”, monument në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO, për ta përmbyllur një eksperiencë të veçantë që do t’ju mbetet në kujtesë.

Tregu hapet në orën 6:00 çdo ditë, përpos ditës së diel (kur është i mbyllur). Ai rri i hapur deri në ora 18:00 (e martë – e premte), në ora 17:00 (e hënë), dhe ora 16:00 (e shtunë).


Ky ishte itinerari si dhe rekomandimet për një vizitë 2 ditore në Budapest. Ju faleminderit dhe shpresoj që ju ka pëlqyer.

Si ta vizitoj Parisin për 2 ditë?

Më ndiqni në IG: @guida.udhetimi

“Take me to Paris” she said

Parisi është kryeqyteti i majave të kulturës botërore. Asnjë vizitor që ka pasur rastin dhe fatin ta vizitoj qytetin e dritave dhe te ëndrrave nuk mund të mbetet indiferent.


Në këtë shkrim dua të ndaj me ju disa këshilla dhe rekomandime për një vizitë të këndshme 2 ditore në qytetin e Parisit. Ndonjëherë është e vështirë të planifikosh një udhëtim në një metropol kur ke vetëm pak ditë qëndrimi, prandaj po e ndaj me ju një itinerar ashtu që të keni mjaftueshëm kohë për të parë atraksionet kryesore të këtij qyteti mahnitës.

Ky itinerar është i përshtatshëm për vizitorë që shkojnë për herë të parë në Paris, por edhe për dikë që kthehet në Paris për një kohë të shkurtër dhe dëshiron të shijoj vendet kryesore të Parisit.

Mënyra më ekonomike për të shkuar në Paris nga Prishtina është fluturimi nga Shkupi.


Dita e parë:

1. Kisha Sainte-Chapelle
2. Katedralja Notre Dame (Notre-Dame Cathedral / Cathédrale Notre-Dame)
3. Muzeu Louvre (Louvre Museum / Musée du Louvre)
4. Bodrumi i verërave “Les Caves du Louvre”
5. Harku i Triumfit (Arc de Triomphe)
6. Kulla e Eiffel (Eiffel Tower / Tour Eiffel)
7. Shëtitje me barkë në lumin e Senës

Dita e dytë:

1. Bazilika Sacré-Cœur (Sacré-Cœur Basilica / Basilique du Sacré-Cœur)
2. Pallati i Operës Garnier (Opera Palais Garnier)
3. Muzeu D’Orsay (Musee D’Orsay)
4. Bregu i Majtë (The Left Bank / La Rive Gauche)
5. Kulla Montparnasse (Montparnasse Tower / Montparnasse Tour)
6. Qendra Pompidou (Centre Pompidou)


Dita e parë

1. Kisha Sainte-Chapelle

Sainte-Chapelle është ndër kishat më të bukura në botë. E ndërtuar në shekullin 13, kisha ka stil gotik; dritaret janë pothuajse nga dyshemeja e deri në tavan, thjeshtë marramendëse. Hapet në ora 9:00 dhe varësisht nga sezoni mbyllet në ora 17:00 ose 19:00. Ju rekomandoj që te jeni aty sa më herët ashtu që t’i shmangni pritjet. Hyrja kushton 10 €.

2. Katedralja Notre Dame (Notre-Dame Cathedral / Cathédrale Notre-Dame)

Katedralja e Notre Dame është një nga ndërtesat fetare më të famshme në botë. E dëmtuar në prill të vitit 2019, fatkeqësisht katedralja nuk është e qasshme për vizitorë, megjithatë dy kullat me kambana mbesin të paprekura dhe mund t’i shihni nga largësia.

3. Muzeu Louvre (Louvre Museum / Musée du Louvre)

Ec për rreth 20 minuta për të arritur te një nga muzetë më të famshëm në botë, Louvre. Galeria më e madhe e artit në botë, ofron shumë më shumë sesa Mona Lisën (një nga pikturat ikonike të historisë njerëzore). Edhepse në Louvre mund të kaloni një ditë të tërë duke parë art prej atij islamik deri te ai antik grek, nëse i keni vetëm 2 ditë për ta parë Parisin, atëherë kaloni 2 ose 3 orë këtu. Për shkak të popullaritetit të Louvre, ju sugjeroj që biletën ta blini online paraprakisht. Çmimi i biletës është 17 €. Muzeu është i mbyllur të martën, ndërsa ditëve tjera punon prej orës 9:00 deri 18:00 (përpos të mërkurën dhe premten, kur rri i hapur edhe natën deri në ora 21:45).

4. Bodrumi i verërave “Les Caves du Louvre”

Meqë jeni në Francë, vendin më të famshëm për verëra në botë, atëherë po ju premtoj koha ju sugjeroj të bëni edhe një vizitë në ndonjë nga bodrumet e verërave për të provuar verëra të ndryshme franceze. Afër Muzeut të Louvre është “Les Caves du Louvre”, i vendosur në një bodrum verërash të shekullit të 18-të. Çmimi për një vizitë me ciceron për të provuar verërat është 32 €. Nëse nuk ju pëlqejnë verërat por preferoni kafe, atëherë mund të pini kafe në Angelina Café.

5. Harku i Triumfit (Arc de Triomphe)

Në pjesën perëndimore të sheshit të famshëm parisien Champs Elysees gjendet Arc de Triomphe. Ky monument i cili i dedikohet viktimave të Revolucionit Francez është një nga atraksionet që duhet patjetër t’i vizitoni gjatë udhëtimit tuaj. Nëse jeni i interesuar për pamje magjepsëse të Parisit, atëherë kurdo prej orës 10:00 deri në 22:30, për 12 € mund të ngjiteni (me shkallë apo me lift) në krye të Arc de Triomphe.

6. Kulla e Eiffel (Eiffel Tower / Tour Eiffel)

Edhpse nëse e keni përcjellë këtë guidë deri tash ju sigurisht e keni parë kullën e Eiffel, asnjë pamje e saj nuk krahasohet me pamjen nga afër. Pamjet më të mira i keni nga Champ de Mars ose Trocadero. Nëse dëshironi të ngjiteni në kullë, ju sugjeroj që biletën ta blini më herët online. Për çmime dhe kohë të hapjes vizitoni ueb faqen.

7. Shëtitje me barkë në lumin e Senës

Nëse doni të keni një perspektivë tjetër të Parisit, ju rekomandoj që të bëni një shëtitje me barkë në lumin e Senës. Këto shëtitje zakonisht zgjasin rreth 1 orë dhe shpesh ofrojnë ciceronë. Shëtitjet ofrohen nga kompani të ndryshme dhe kushtojnë rreth 15 €. Këtu e gjeni një listë krahasuese në gjuhën angleze.


Dita e dytë

1. Bazilika Sacré-Cœur (Sacré-Cœur Basilica / Basilique du Sacré-Cœur)

Dita e dytë fillon tek Bazilika Sacré-Cœur në kodrën më të lartë të qytetit, Montmartre. Siç edhe mund ta imagjinoni, nga kjo pikë ka pamje të mahnitshme të qytetit. Ndërsa bazilika është ndërtesë relativisht e re, e përfunduar në vitin 1914. Hyrja është falas.

2. Pallati i Operës Garnier (Opera Palais Garnier)

Në këtë rast po u rekomandoj ta vizitoni objektin, e jo ndonjë operë (për shkak të kohës). Një vizitë përfshinë jo vetëm objektin madhështor, por edhe teatrin me 2000 ulëse (shih foton). Vizita zgjatë rreth 80 minuta dhe ofrohet ne gjuhën angleze. Çmimi është 17 € për person.

3. Muzeu D’Orsay (Musee D’Orsay)

Nga Pallati i Operës Garnier vazhdoni në një muze tjetër të famshëm të Parisit – Muzeun D’Orsay (Musee D’Orsay). I ndërtuar në një stacion të dikurshëm të trenit në bregun jugor të lumit të Senës, ky muze vazhdon aty ku përfundon Muzeu i Louvre. Vetëm pamja e kësaj ndërtese është arsye e mjaftueshme për vizitë. Por këtu nuk mungojnë veprat e artit, si nga Monet, Van Gog, Cezanne e Renoir. Muzeu është i mbyllur të hënave, ndërsa ditëve tjera punon prej orës 9:30 deri në 18:00. Hyrja kushton 12.40 €.

4. Bregu i Majtë (The Left Bank / La Rive Gauche)

Parisi është një qytet romantik, dhe te shëtitësh në këmbë nëpër qytet është një ndër gjërat më romantike të tij. Nga muzeu D’Orsay vazhdoni të ecni në drejtim te lindjes, përgjatë bregut të majtë të lumit Seinë, ku do të keni pamje spekulatore të qytetit.

5. Kulla Montparnasse (Montparnasse Tower / Montparnasse Tour)

Dy vendet e fundit të kësaj vizite në Paris mund t’i ndërroni në bazë të kohës së vitit kur e vizitoni qytetin. 

Kulla Montparnasse është një nga dy rrokaqiejt më të lartë të Parisit, dhe nga kulla për vështrim mund të shihni pamjet më të bukura të Parisit. Në anën perëndimore, pamja është thjeshtë magjepsëse, nga Kulla e Eiffel, tek Montparnasse, e deri tek lagja La Defense. Hyrja për kullën për vështrim kushton 20 €, dhe është e qasshme çdo ditë të vitit prej orës 9:30 deri në ora 22:30 apo 23:30 (varësisht nga sezoni).

6. Qendra Pompidou (Centre Pompidou)

I fundit në listën e atraksioneve është muzeu më i madh i artit në Evropë. Me vizitë këtu e mbuloni triologjinë e muzeve te Parisit: nga ai i Louvre, që mbulon periudhën deri në vitin 1848; tek D’Orsay, që mbulon periudhën deri në fillim të shekullit 20; deri te Pompidou, që përfshin kryeveprat e artit modern të shekullit 20. Muzeu është i hapur prej orës 11:00 deri në ora 21:00, ndërsa bileta e hyrjes kushton 14 €.


Kjo ishte një guidë për një udhëtim 2 ditorë në Paris. Shpresoj qe ju ka pëlqyer.

Design a site like this with WordPress.com
Get started