Si ta vizitoj Budapestin për 2 ditë?

Më ndiqni në IG: @guida.udhetimi

“Budapest is famous for its thermal baths. What most people don’t know about is their famous bath parties.” – Lust for the World

Budapesti është një nga kryeqytetet më të mira evropiane që mund të vizitohet për dy apo tre ditë. Meqenëse kohëve të fundit ka fluturime të leverdishme për një fundjavë nga Prishtina për Budapest, vendosa që të shkruaj për këtë qytet. Për këtë postim kam përgatitu një itinerar 2 ditorë për ata që duan ta vizitojnë Budapestin gjatë fundjavës. Jam munduar të përfshijë pak nga secili atraksion i qytetit, prej muzeve, shëtitjeve në qytet e banja, e deri te parqet, për të ndjerë ngrohtësinë e këtij qyteti romantik.

Pasi që të mbërrini në qytet dhe të vendoseni në hotel, ju propozoj të bëni një shëtitje në qendrën e qytetit, veçanërisht në Avenynë Andrassy (Andrassy Avenue / Andrássy út) dhe rrugën Vaci (Vaci Street / Váci utca), dy bulevardet më të famshme të Budapestit. Këto rrugë janë të mbushura me bare, restorante dhe dyqane. Nëse nuk jeni te lodhur nga fluturimi, dhe është mbrëmje, ju rekomandoj të shkoni edhe tek kisha më e madhe e Budapestit, Bazilika e Shën Stefanit (St. Stephen’s Basilica / Szent István Bazilika), e cila ka ndriçim të mahnitshëm.


Dita e parë: 7 km në total

  1. Kështjella e Budës (Buda Castle / Budavári Palota)
  2. Kisha e Matiasit (Matthias Church / Mátyás Templom)
  3. Fortesa e peshkatarëve (Fishermen’s Bastion / Halászbástya)
  4. Ura zinxhir e Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge / Széchenyi Lánchíd)
  5. Parlamenti Hungarez (Hungarian Parliament / Országház)
  6. Sheshi Vorosmarty (Vorosmarty Square / Vörösmarty tér)
  7. Rruga Vaci (Vaci Street / Váci utca)

Dita e dytë: 5 km në total

  1. Banja termale e Széchenyi-t (Szechenyi Thermal Bath / Széchenyi Gyógyfürdő és Uszoda)
  2. Kështjella e Vajdahunyad (Vajdahunyad Castle / Vajdahunyad vára)
  3. Sheshi i heronjve (Heroes’ Square / Hősök tere)
  4. Avenyja Andrassy (Andrassy Street / Andrássy út)
  5. Oborri i Gozsdu (Gozsdu Court / Gozsdu udvar)
  6. Sinagoga e rrugës Dohany (Dohany Street Synagogue / Dohány utcai Zsinagóga)
  7. Tregu i mbuluar i qendrës (Central Market Hall / Nagy Vásárcsarnok)

Dita e parë

1. Kështjella e Budës (Buda Castle / Budavári Palota)

Filloni ditën duke përdorur trenin me litar (funicular train) në Sheshin Clark Adam për të arritur në zonën e kështjellës. Mund të ngjiteni lart edhe përmes shkallëve apo autobusit me numër 16 (zbrisni në ndalesën/stacionin ‘Dísz tér’).

Pasi te shijoni pamjen e bukur të Pestit që shtrihet para kështjellës, shfrytëzoni rastin të shikoni veprat e piktorëve më të mëdhenj hungarezë të vendosura në Galerinë Kombëtare Hungareze.

2. Kisha e Matiasit (Matthias Church / Mátyás Templom)

Ecni nëpër qytetin e vjetër për 10 minuta për të arritur pikën e dytë të vizitës, Kishën e Matiasit. Në këtë ambient unik, disa herë në muaj Kisha e Matiasit organizon koncerte muzikore klasike me Orkestrën me Harqe Budapest Danub (Budapest Duna String Orchestra).
Orari i hapjes:
E hënë – e premte: 9:00 – 17:00;
E shtunë: 9:00 – 13:00;
E diel: 13:00 – 17:00.
Hyrja për të rritur është rreth 5.5 € (1800 Ft).

3. Fortesa e peshkatarëve (Fishermen’s Bastion / Halászbástya)

Fortesa e peshkatarëve ndodhet 50 metra përballë Kishës së Matiasit. Ajo është e hapur në çdo kohë. Hyrja në pjesën e poshtme është pa pagesë, ndërsa hyrja në pjesën e sipërme kushton rreth 3 € (1000 Ft) prej orës 8:00 deri në ora 21:00, ndërsa është pa pagesë gjatë pjesës tjetër të ditës (në mbrëmje).

4. Ura zinxhir e Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge / Széchenyi Lánchíd)

Zbrisni kodrën dhe kaloni mbi urën më të bukur të Budapestit, Urën zinxhir të Szechenyi-t (Szechenyi Chain Bridge), urën e parë të përhershme të Budapestit. Pasi ta kaloni urën arrini tek Sheshi Szechenyi Istvan; më pas vazhdoni shëtitjen për te ndërtesa e Parlamentit Hungarez, e cila gjendet vetëm 10 minuta larg.

5. Parlamenti Hungarez (Hungarian Parliament / Országház)

Gjatë vizitës në Parlament mos harroni që në të majtë të Parlamentit (përballë Danubit), mund të zbrisni afër buzës së lumit për ta parë memorialin “Këpucët në Brigjet e Danubit” (Shoes on the Danube Bank), kushtuar viktimave hebre të Luftës së Dytë Botërore në Budapest. Për rreth dyzet metra përgjatë lumit ka këpuce metalike që përfaqësojnë mijëra hebrenj qe u qëlluan para se të hiqnin këpucët.

Orari i hapjes së parlamentit është nga 8:00 – 18:00. Preferohet që caktimi i terminit të bëhet paraprakisht online. Pagesa e hyrjes, për qytetarë jashtë BE-së, është rreth 20 € (6400 Ft).
Nëse dëshironi te hani drekë, ju rekomandoj Elysée Bistro ose Café Smúz në Sheshin Kossuth.

6. Sheshi Vorosmarty (Vorosmarty Square / Vörösmarty tér)

Pini një kafe dhe provoni një ëmbëlsirë hungareze në një nga kafenetë më të famshme të Evropës, Gerbeaud në Sheshin Vorosmarty.

7. Rruga Vaci (Vaci Street / Váci utca)

Kthehuni mbrapa përgjatë rrugës Vaci, ku mund të bëni shopping. Një ide e mirë është të provoni një aperitiv apo te hani darkë në restorantin Kiosk pranë sheshit, në Március 15. Kështu do ta përfundoni me sukses një ditë në Budapest.

Një tjetër mundësi për ta përfunduar ditën e parë të shëtitjes në Budapest është të bëni një lundrim në Danub, që zgjatë 45 minuta deri në 1 orë. Ka oferta të ndryshme në lokacione të ndryshme të qytetit për lundrime të tilla.


Dita e dytë

1. Banja termale e Széchenyi-t (Szechenyi Thermal Bath / Széchenyi Gyógyfürdő és Uszoda)

Fillojeni ditën e dytë me vizitë ne banjën termale te Széchenyi-t, vend ikonë që duhet të shihet patjetër ne Budapest. Kjo banjë përfshirë pishinat e jashtme termale, është e hapur gjatë gjithë vitit, përshirë edhe ditët me shi e me borë. Planifikoni të kaloni disa orë relaksimi në këtë banjë. Në pishinën termale të jashtme keni edhe treguesin e temperaturës; gjatë dimrit temperatura e ujit mund të jetë 38 °C.

Hyrja me një kabinë kushton rreth 20 € (6200 Ft). Nëse keni mundësi merrini peshqirin dhe sandalet tuaja, përndryshe ato mund t’i huazoni aty për rreth 14 € (4500 Ft).

2. Kështjella e Vajdahunyad (Vajdahunyad Castle / Vajdahunyad vára)

Pasi të keni provuar banjat, ecni në park për 5 minuta për të arritur tek Kështjella e Vajdahunyad. Meqenëse është paksa itinerari i ngjeshur, nuk ju rekomandoj ta vizitoni nga brenda, mirëpo nëse keni dëshirë mund ta vizitoni brenda dhe ta zëvendësoni ndonjërën nga atraksionet e mëposhtme.

3. Sheshi i heronjve (Heroes’ Square / Hősök tere)

Nga kështjella vazhdoni ecjen në këmbë për 6 minuta dhe mbërrini tek njëri ndër sheshet kryesore, dhe sheshi më i madh i Budapestit “Hősök tere”. Shëtitini dhe shijojeni këtë shesh atraktiv. Pasditen vazhdojeni me vizitë në qendrën e Pest-it.

4. Avenyja Andrassy (Andrassy Street / Andrássy út)

Nga ky shesh vazhdoni shëtitjen tek Avenyja Andrassy, rreth 16 minuta ecje në këmbë. Tani është koha për pushim, ushqim e relaksim. Në këtë lagje ka zgjedhje të shumta të restoranteve dhe kafeneve. Pas drekës ju rekomandoj kafen ta pini në Cafe Parisi, apo në barin 360 Bar, me tarracë në kulm dhe pamje shumë të bukura, sidomos në ditët me mot të mirë.

5. Oborri i Gozsdu (Gozsdu Court / Gozsdu udvar)

Nga aty ecni rreth 9 minuta dhe mbërrini tek një nga vendet më të famshme për dalje natën në Budapest, Gozsdu udvar, me shumë restorante dhe kafene. Nëse nuk keni pi kafe ende, atëherë ky është vendi i duhur. Gjithsesi nëse do të qëndroni edhe këtë natë në Budapest atëherë mund dhe duhet të ktheheni për një pije në mbrëmje apo natën.

6. Sinagoga e rrugës Dohany (Dohany Street Synagogue / Dohány utcai Zsinagóga)

Vetëm 8 minuta larg, prapë në këmbë, gjendet sinagoga më e madhe në Evropë. Aty ofrohen vizita me ciceron gjatë gjithë ditës.

Orari i hapjes (ditëve të punës):
mars – tetor: 10:00 – 18:00 (të premten mbyllet në ora 16:00);
nëntor – shkurt: 10:00 – 16:00 (të premten mbyllet në ora 14:00).

Meqë tashmë je në Lagjen e Hebrenjve, nëse ke kohë dhe energji ende shëtitu paksa, vizito dyqanet e kafenetë, apo vetëm ec dhe shijo e njihu paksa me kulturën hebraike.

7. Tregu i mbuluar i qendrës (Central Market Hall / Nagy Vásárcsarnok)

Deri tash shpresoj që kjo guidë e Budapestit t’ju ketë ndihmuar t’i shijoni bukurinë e këtij qyteti. Shpresoj që gjithashtu ta keni kuptuar paksa historinë dhe kulturën e hungarezëve.

Çka ka mbetur është vizita në tregun e mbuluar “Nagy Vásárcsarnok”, monument në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO, për ta përmbyllur një eksperiencë të veçantë që do t’ju mbetet në kujtesë.

Tregu hapet në orën 6:00 çdo ditë, përpos ditës së diel (kur është i mbyllur). Ai rri i hapur deri në ora 18:00 (e martë – e premte), në ora 17:00 (e hënë), dhe ora 16:00 (e shtunë).


Ky ishte itinerari si dhe rekomandimet për një vizitë 2 ditore në Budapest. Ju faleminderit dhe shpresoj që ju ka pëlqyer.

Leave a comment

Design a site like this with WordPress.com
Get started